Nëse dikur sfida e prindërve ishte që t’ju përgjigjeshin të gjitha pyetjeve të fëmijëve, sot sfida është që ata të të bëjnë pyetje. Më poshtë, gjeni disa këshilla sesi të nxisni të folurën e fëmijës tuaj. Artikull nga Silvana Gjoni, logopediste dhe terapiste.
Shpesh, përgjatë punës, përballemi me prindër, fëmija i të cilëve nuk flet apo ka një fjalor shumë të kufizuar, jo në përputhje me moshën e tij kronologjike, pa ndonjë çrregullim zhvillimi. Kjo vjen për arsye të ndryshme: fëmija dëshiron të komunikojë me gjeste, modeli prindëror është i tillë që nuk nxit mjaftueshëm ekspozimin ndaj stimujve që ta “detyrojnë” fëmijën të flasë, prindi plotëson çdo kërkesë të fëmijës, pa qenë nevoja që ai/ajo të shprehet vetë. Prandaj, gjithnjë e më tepër, sidomos edhe me evoluimin e teknologjisë, fëmijët nuk nxiten për të folur. Nëse dikur sfida e prindërve ishte që t’ju përgjigjeshin të gjitha pyetjeve të fëmijëve, sot sfida është që ata të të bëjnë pyetje.
Më poshtë, gjeni disa këshilla sesi të nxisni të folurën e fëmijës tuaj:
E FOLURA PARALELE. Tregoni me zë të lartë se çfarë veprimi po bën fëmija. P.sh, “Ti more arushin në dorë dhe do të luash”.
E FOLURA ME VETE. Tregoni me zë të lartë se çfarë po bëni ju vetë. P.sh: “Unë po përgatis mëngjesin”.
STIMULIMI I TË FOLURËS. Përsërisni të njëjtën fjalë disa herë, që të nxisni prodhimin e saj. Nëse ju po luani me top, thoni shpesh: “Gjuaje topin”, “E gjuajte topin”, “Hidhe topin”, “Topi”.
VENDOSENI PARA ZGJEDHJEVE TË DETYRUARA. P.sh: “Do mollën jeshile apo të verdhë?”. Kështu, fëmija është i vetëdijshëm që duhet të zgjedhë mes këtyre të dyjave dhe njëkohësisht do të bëhet më i pavarur në zgjedhjet e tij.
KËNDONI. Këndimi i këngëve, sidomos atyre me rimë, i mëson fëmijëve fjalë të reja dhe të nevojshme për të komunikuar. Gjithashtu, shijon edhe momentin dhe melodinë e të kënduarit.
RIORGANIZONI. Përsërit atë që thotë fëmija, por pa gabime. Kështu, do ekspozohet ndaj modelit të saktë të të folurit dhe do të bëjë më pak gabime. Patjetër, shmangni përdorimin e frazave si: “Jo, ishte gabim”, Mos thuaj ashtu, pasi këto fraza ulin vetëbesimin dhe nuk e lejojnë të eksplorojë gjuhën.
MODELONI. Thuaji fjalët ashtu siç ti ke dëshirë që ai t’i thotë. P.sh: “Unë…dua…mollë”. Përsëritjani shpesh.
PËRDORNI EDHE SHENJAT. Për të lehtësuar komunikimin, mund të përdorësh edhe shenjat, si ato më të zakonshmet, “Bravo”, “Të lumtë”, “Ok më gisht”, “Përplasja e duarve”, “Supet lart”, kur nuk dimë përgjigjen etj.
AKSES I LIMITUAR. Jepi fëmijës vetëm një lodër apo diçka të preferuar dhe jo të gjitha njëherësh, në mënyrë që të detyrohet të kërkojë më shumë.
SABOTONI. Hyni në lojën e tyre dhe merri një nga lodrat e preferuara, në mënyrë që ta detyrosh të të kërkojë mbrapsht lodrën e tij. Kështu, ke përfituar mundësinë për të komunikuar dhe modeluar gjuhën e fëmijës.
TË LEXUARIT. Lexojini çdo mbrëmje një histori të një libri të preferuar për fëmijë. Me kalimin e kohës dhe përsëritjen e historisë, mund të shtoni elemente dhe ta nxisni fëmijën të shtojë të tjerë.
ZGJATJA. Përsërit atë që thotë fëmija dhe shto informacionin. P.sh: fëmija thotë, “Dua ujë”, ju shtoni, “Unë dua ujë, të lutem”.
KOHA. Kalo kohë cilësore me fëmijën, duke luajtur me të dhe duke i treguar me vepra për prezencën tënde. Kjo vlen më shumë se çdo lodër.